Siguria dhe privatësia e komunikimeve të dronëve në rrjetet 5G/6G për misionet kërkim-shpëtimi (SAR) dhe mbrojtjen civile, duke implementuar teknologjinë Blockchain.
Dronët po përdoren gjithnjë e më shumë për misione kërkim-shpëtimi (SAR) dhe për mbrojtjen civile. Përdorimi i dronëve në këto misione, për të ofruar lidhje të shpejta dhe të besueshme varet nga rrjetet e avancuara të komunikimit si 5G dhe 6G. Megjithatë, sfidat kryesore mbeten siguria dhe privatësia e këtyre komunikimeve, duke përfshirë mundësitë për sulme kibernetike dhe komprometimin e të dhënave të ndjeshme.
Në Shqipëri, kërkimet në trekëndëshin teknologjik 5G/6G, dronët dhe blockchain janë ende në faza të hershme, por gjenden disa iniciativa dhe projekte që lidhen me teknologjinë dhe inovacionin në këtë drejtim. Megjithëse Shqipëria nuk është një lider në këtë fushë, disa institucione dhe kompani janë të angazhuara në projekte eksperimentale dhe në zhvillimin e hulumtimeve për teknologji të avancuara. Në përgjithësi, Shqipëria, e cila pavarësisht nga madhësia e saj territoriale, ka përgjegjësi kombëtare për sigurimin në kohë dhe me efektivitet të shërbimeve SAR. Sidoqoftë, ka përpjekje për të avancuar në këtë fushë nëpërmjet bashkëpunimeve ndërkombëtare, mbështetjes akademike dhe investimeve të qeverisë dhe sektorit privat.
Aktualisht, aktivitetet dhe hulumtimet janë të izoluara dhe kërkojnë një plan të qartë dhe strategjik për të avancuar më tej në drejtim të një plani kombëtar në përputhje me kërkesat e insitutucioneve relevante të BE-së. Sot, 5G përfaqëson standardet më të fundit të komunikimit celular, të cilat ofrojnë shpejtësi më të madhe, vonesa më të vogla dhe lidhshmëri më të besueshme.
Rritja e përdorimit të tyre e ka bërë të domosdoshme integrimin e zgjidhjeve inovative për të siguruar mbrojtje të të dhënave dhe të komunikimeve në këtë infrastrukturë të ndërlikuar. Në këtë kontekst, përdorimi i dronëve në infrastrukturën e komunikimit 5G/6G dhe blockchain për të siguruar autentikim dhe siguri të të dhënave është një zgjidhje inovative që mund të ndihmojë në mbulimin e këtyre sfidave.
Ky projekt synon të analizojë dhe të propozojë një model të sigurisë bazuar në kombinimin e dronëve dhe teknologjisë blockchain në infrastrukturat 5G/6G. Dronët dhe blockchain paraqesin mundësi të mëdha për të përmirësuar misionet e kërkim-shpëtimit dhe mbrojtjes civile, duke ofruar shpejtësi, siguri dhe transparencë në operacione.
Ky projekt mbështetet financiarisht nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit, në kuadër të Projekteve Kombëtare të Kërkimit dhe Zhvillimit (2025-2026).
PKKZH 2025 - 2026
Kohëzgjatja: 11 muaj
Faza e parë A1: korrik - tetor '25
Faza e dytë A2: nëntor '25 - mars '26
Faza e tretë A3: prill - maj '26
Drejtues i projektit: Prof. Asoc. Dr. Luis LAMANI